Lart

Vakti i mëngjesit në mbarë botën, si e nisin ditën vende të ndryshme

Mëngjesi konsiderohet nga dietologët dhe nutricionistët si një nga vaktet më të rëndësishme, pasi i jep trupit të gjithë energjinë e nevojshme për të nisur ditën. Ky vakt duket sikur nuk është aq i pasur në përbërës dhe receta, sa dreka dhe darka, por në fakt, shumë vende në botë ofrojnë një shumëllojshmëri specialitetesh që konsumohen çdo mëngjes.

Nga drithërat e ndryshme gatuar me miell elbi, supa e shijshme tuniziane me qiqra, te petullat dhe reçelrat, po rendisim më poshtë disa nga ushqimet e konsumuara në mëngjes në vende të ndryshme të botës.

Zvicra

Gjatë ditëve të javës, zviceranët konsumojnë një mëngjes të shpejtë, si p.sh. tërshërë me fruta të thata dhe kos. Megjithatë, në fundjavë, ata zgjedhin të hanë një mëngjes më të plotë dhe tavolina e tyre mbushet me djathëra, petulla me patate, vezë, si dhe brioshë të mbushur me mjaltë, gjalpë dhe reçel.

Etiopia

“Genfo”, është një nga pjatat më të njohura në Etiopi, e ngjashme me qullin. Përgatitet me drithëra të ndryshme, miell elbi dhe ujë të vluar, derisa formohet një brumë i trashë. Më pas, “genfo” serviret e shoqëruar me gjalpë të kulluar, erëza dhe kos.

Tunizia

Adhuruesve të vakteve të shijshme do t’i pëlqejë padyshim “lablabi”, një supë me qiqra dhe erëza që është pjata kryesore e mëngjesit në Tunizi. Herë e shoqëruar me copa buke, herë me limon të shtrydhur, kremoze me kos ose e mbushur me ullinj, ka pafund mënyra për ta shijuar këtë supë të veçantë.

Japonia

Mëngjesi japonez mund të konsiderohet një nga më të pasurit, jo më kot pjatat që konsumohen në këtë vakt mund të serviren në çdo orë të ditës. Sipas traditës, japonezët zgjedhin të hanë me porcione të vogla, por të shumta dhe të ndryshme. Peshq të tillë si salmoni ose skumbri, supa miso, perime turshi, orizi dhe omëleta e ëmbël, janë të gjitha pjesë e pjatës së mëngjesit.

Islanda

Vaji i mëlçisë së merlucit, një burim i acideve yndyrore omega-3, është përbërësi kryesor i mëngjesit islandez. Gjithashtu, “hafragrautur”, një tas i mbushur me tërshërë, arra, rrushë të thatë, ajkë qumështi dhe djathë i freskët, është zgjedhja e shumë islandezëve për të nisur ditën.

Italia

Italia padyshim është një nga vendet që shquhet për gatimet e saj unike në të gjithë botën, mirëpo kur vjen fjala për mëngjesin, italianët zgjedhin diçka të shpejtë. Briosh i mbushur me krem ose çokollatë, si dhe kafe apo kapuçino përbëjnë mëngjes standard në Itali.

Xhamajka

Një mëngjes në Xhamajka, nuk mund të konceptohet pa gjellën tradicionale të njohur si ackee me peshk. Ackee, një frut delikat i ëmbël në formë dardhe, kaurdiset me merluc, domate, hudhër, spec djegës dhe qepë, duke gërshetuar kështu të ëmblat, të kripurat dhe pikantet, tipike e një vendi ekzotik.

Tajvani

Një gotë qumësht reklamohet si pjesë e një mëngjesi të ekuilibruar, por në Tajvan qumështi i freskët i sojës nuk mungon kurrë. Ky qumësht shoqërohet gjithmonë me petulla ose me peta të skuqura me qepë, si dhe me perime të ndryshme.

Rusia

Havjari i kuq apo i zi, i shoqëruar me një krep apo petulla të vogla, është mëngjesi tipik rus, gjatë fundjavave. Gjatë ditëve të javës, mëngjeset janë më të thjeshta; bukë thekre e ëmbël me gjalpë. Gjithsesi, gjëja më e rëndësishme, që nuk mungon kurrë në një mëngjes rus, është çaji i zi.

SHBA

Petulla me çokollatë ose me gjalpë, është një mëngjes klasik amerikan, ku kombinohen gjithmonë shijet e kripura dhe të ëmbla. Përveç petullave, nuk mungojnë as boronicat e freskëta, qumështi dhe shurupet e ndryshme të ëmbla.

Turqia

Për turqit mëngjesi është padyshim vakti më i rëndësishëm, si dhe më i bollshmi. Nuk është e habitshme nëse miqtë apo familjarët e ftojnë njëri-tjetrin për të ngrënë mëngjes, qoftë në shtëpi, por edhe në restorante luksoze. Sofra turke është gjithmonë plot e përplot me pjata të kripura dhe të ëmbla. Buka e njohur si “simit”, një bukë rrethore me fara; djathëra; ullinj; perime të freskëta; patate të pjekura; sallame; hallvë; mjaltë dhe reçelra të ndryshme. Tipike e mëngjesit turk, janë vezët e gatuara me feta suxhuku dhe erëza pikante.

Shqipëri

Vezë e skuqur, e zierë apo omëletë është një nga format e shpejta që shqiptarët zgjedhin për të konsumuar në mëngjes, shoqëruar nga një gotë qumësht, dhe si gjithmonë një kafe. Gjithashtu, ndikuar dhe nga kulturat e huaja një tost apo briosh, është një nga zgjedhjet që preferohet për të nisur ditën.

Megjithatë, në një mëngjes tradicional shqiptar trahanaja është një pjatë tipike, sidomos në ditët e ftohta të dimrit. Po ashtu, gjalpi dhe reçelrat, petulla me djathë, si dhe byrekë të ndryshëm me gjizë ose spinaq, mbeten disa nga ushqimet më të konsumuara në mëngjes.

Shpërndaj
Nutricione - Probleme.me

Në Probleme.me mund të mësoni si të bëni zgjedhje të mençura për të shmangur glutenin dhe të ushqyerit shëndetshëm. Nëse keni ndonjë sygjerim apo koment na kontaktoni në nutricione@rilinde21.sg-host.com